Fjala përshëndetëse e Ambasadorit Gjerman Karl Bergner
Të dashur miq të kulturës,
bota jonë karakterizohet prej larmisë dhe varësive të ndërsjellta; asnjë vend nuk mund t’i zgjidhë i vetëm sfidat e shumta. Ndaj është me rëndësi vendimtare, që të bashkëpunojmë dhe të gjejmë rrugë që bashkarisht ta bëjmë këtë botë më të sigurt, më të qëndrueshme dhe më të paqtë.
Në larminë e kulturave evropiane qëndron forca jonë e veçantë: secili prej vendeve tona mund të japë një kontribut të rëndësishëm në pasurimin, forcimin dhe përmirësimin e familjes sonë të përbashkët evropiane përmes pikave të forta dhe veçorive të veta si dhe përmes pranimit të të tjerëve.
Kjo shkon në të njëjtën linjë edhe me objektivin e Procesit të Berlinit të rijetësuar prej Kancelarit Federal Scholz, samiti i të cilit do të zhvillohet më 16 tetor të këtij viti në Tiranë. Pikërisht në këtë kohë sfiduese dhe në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE në dëshirojmë të tregojmë, se në ç’mënyra të larmishme mund të mbështesim si partnerë Shqipërinë dhe mbarë rajonin duke krijuar kështu një vlerë të shtuar të konsiderueshme për qytetaret dhe qytetarët.
Ndaj për këtë vit motoja e Tetorit Gjerman është „Larmia jonë – Forca jonë“ – „Unsere Kraft – Unsere Vielfalt“.
Me forca të bashkuara dhe partnerë të shumëllojshëm nga Gjermania dhe Shqipëria do të organizojmë edhe këtë vit koncerte, ekspozita, mbrëmje leximi, konferenca, biseda dhe shfaqje filmash.
Tetori Gjerman është një realizim i „Team Deutschland“ në Shqipëri. Aty janë pjesëmarrës jo vetëm Ambasada Gjermane në Tiranë, por edhe Qendra Goethe, DAAD, GIZ dhe shumë partnerë të tjerë. Një falënderim i përzemërt për të gjithë.
Programi online dhe aplikacioni „Tetori Gjerman“ në smartphone jua bëjnë të lehtë të mbani në vëmendje aktivitetet e shumta. Për disa syresh nevojitet regjistrim paraprak. Në rast shiu mund të ndodhë, që aktiviteti të zhvendoset në një vend tjetër. Ndaj lutemi të shfrytëzoni këtë ofertë edhe për të qenë të përditësuar me ndryshimet eventuale.
Ju uroj një Tetor Gjerman emocionues, të hareshëm, befasues dhe të larmishëm si dhe shumë pikëpjekje interesante gjermano-shqiptare.
Shumë përzemërsisht,
Karl Bergner
Ambasadori Gjerman në Shqipëri